Investimet e huaja arrijnë 1.2 miliardë euro, BSH: 15% e banesave këtë vit janë blerë nga të huajt

4 Janar 2026, 20:10Ekonomia TEMA
Investimet e huaja arrijnë 1.2 miliardë euro, BSH: 15% e banesave

Investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë shënuar rritje edhe gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nga janari në shtator, investimet arritën në 1.2 miliardë euro, nga 1.15 miliardë euro që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë. Në terma vjetorë, rritja vlerësohet në rreth 4.4 për qind, duke mbajtur vendin në hartën e interesit të investitorëve të huaj.


Sa i përket origjinës së kapitalit, më aktivë kanë qenë investitorët nga Kosova, Italia dhe Austria. Ndërkohë, po rritet edhe pjesëmarrja e investitorëve nga Turqia, Holanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicra.

Forcimi i lekut në kursin e këmbimit ka ndikuar gjithashtu në rritjen e vlerës së investimeve të huaja direkte.


Sipas sektorëve, pjesa më e madhe e fondeve është orientuar drejt pasurive të paluajtshme, me rreth 150 milionë euro vetëm në tremujorin e tretë. Pas tyre renditen aktivitetet financiare, tregtia me shumicë dhe industria nxjerrëse. Në të kundërt, sektorë si bujqësia dhe arsimi mbeten pothuajse jashtë interesit të investitorëve të huaj.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë thekson se rreth 15 për qind e banesave të shitura këtë vit janë blerë nga të huajt, niveli më i lartë i regjistruar në pesë vitet e fundit. Shifrat konfirmojnë një treg të hapur për kapitalin e huaj, por sfida mbetet orientimi i investimeve drejt sektorëve që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.

1 Komente

  1. k
    k

    Kush janë ata të huaj që blejnë shtëpi në shqipëri që nuk do jetojnë kurrë ? Po deshët ju a tregoj unë kush janë ata "të huajt" që hedhin paratë në shqipëri ?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje