Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga policia e Durrësit dhe ajo e Kavajës gjatë operacionit të koduar “Purpose”. Një 24-vjeçar nga Kavaja u arrestua në flagrancë ndërsa qarkullonte me motor i armatosur në shëtitoren e plazhit, në një zonë mjaft të frekuentuar.
Policia kishte marrë informacion se i riu me iniciale Ç. K. ishte nisur nga Kavaja drejt Durrësit me një armë zjarri pistoletë me vete. Forcat e rendit u organizuan menjëherë dhe arritën ta bllokonin motomjetin në lagjen nr. 13. Gjatë kontrollit, në sediljen e motorit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë e tipit “Glock” së bashku me municion luftarak.
Bashkë me autorin e dyshuar, në motor ndodhej edhe një tjetër 24-vjeçar me iniciale F. M., i cili tashmë po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Ai akuzohet se kishte dijeni për armën, por nuk njoftoi autoritetet.
Aktualisht, policia dhe Prokuroria po punojnë për të zbardhur arsyen se përse i riu po lëvizte i armatosur dhe nëse kishte shënjestër ndonjë person specifik.
Njoftimi i policisë
“Durrës/ Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, operacioni policor i koduar “PURPOSE”.
Qarkullonte me motomjet, i armatosur me armë zjarri, në shëtitoren e plazhit, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municioni luftarak dhe motomjeti me të cilin qarkullonte.
Procedohet penalisht edhe pasagjeri, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Kavajë kishin siguruar informacion se një shtetas nga Kavaja po qarkullonte me motomjet, i armatosur me armë zjarri pistoletë, në drejtim të Durrësit.
Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “PURPOSE”.
Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 13, në vendin e quajtur shëtitorja e plazhit, shërbimet e Policisë konstatuan dhe ndaluan motomjetin që dyshohej se drejtohej nga shtetasi i armatosur me armë zjarri.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit Ç. K., në sediljen e motomjetit, një armë zjarri, pistoletë Glock, me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ç. K., 24 vjeç, banues në Kavajë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për pasagjerin që ndodhej në motomjet, shtetasin F. M., 24 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e qëllimit të lëvizjes me armë zjarri të 24-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzim i krimit”, njofton policia.
Lini një Përgjigje