Burgu është institucioni më demokratik në Shqipëri; nuk bën dallime, pranon edhe të pafajshëm, edhe të fajshëm
Janë dy kategori të dënuarish që ligji i ndan me një nen, dhe që burgu i bashkon me një derë e dryn hekuri. Njëri e vuan dënimin, kurse tjetri vuan pritjen. Ndoshta kjo është forma më e avancuar e barazisë para ligjit: i dënuari dhe i prezumuari i pafajshëm trajtohen njësoj. Fajtori dhe i pafajshmi hanë të njëjtën ushqim, shohin të njëjtat mure, respektojnë të njëjtën disiplinë dhe numërojnë të njëjtat ditë. Ndryshon vetëm emërtimi: njëri quhet i burgosur, tjetri "i prezumuar i pafajshëm". Është si të veshësh të njëjtën uniformë, por me etiketa të ndryshme. Diferenca ekziston vetëm në dosje. Në teori, je i pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Në praktikë, je i pafajshëm me qira të lartë. Kontrata rinovohet çdo muaj në paraburgim, derisa një ditë dikush zbulon se ke konsumuar tashmë aq kohë sa dënimi duket si formalitet administrativ. Matematikë e thjeshtë:Paraburgim + kohë + mungesë ballafaqimi efektiv me provat = burgim i legalizuar. Burgu, në këtë kuptim, mbetet institucioni ynë më "demokratik". Nuk diskriminon. Hyrja është e hapur si për fajtorin, ashtu edhe për të pafajshmin. Diferenca është se i pari e di pse ndodhet aty, i dyti pret ta mësojë. Prezumimi i pafajësisë ditën e parë është parim kushtetues. Pas disa muajsh bëhet formalitet proçedurial. Pas dy vjetësh trajtohet si etiketë e vjetruar, paska edhe afat skadence. Provat mund të mos kenë lëvizur asnjë milimetër, por kalendari ka ecur mjaftueshëm për t'i zëvendësuar ato.
Në ecje e sipër drejt standardeve evropiane, kemi aftësinë të krijojmë risi juridike origjinale që bazohen në prezumimin e pafajësisë. koncept që me kalimin e kohës, fermentohet vetvetiu në fajësi.
Nuk ke nevojë të provosh fajin; mjafton të zgjasësh mjaftueshëm pritjen. Koha bën pjesën tjetër. Është alkimia moderne e drejtësisë: e fut njeriun të pafajshëm në laborator dhe, pas disa vitesh, pafajësia e supupozuar fermentohet mjaftueshëm deri sa arrin gradët për t'a nxjerrë fajtor me vulë. Shkenca njeh fermentimin e rrushit në verë. Drejtësia jonë, njeh fermentimin e të pafajshmit në fajtor. Proçesi është po aq "natyror", e mbyll në enë, e lë të pushojë dy-tre vjet dhe në fund del një produkt i gatshëm për statistikë. Kur provat nuk piqen, piqet i paraburgosuri. Edhe pse faji nuk provohet, prapeseprapë maturohet. Fermentimi është ndoshta i vetmi proçes ku, nëse ndodh në fuçi, quhet traditë; nëse ndodh në organizëm, quhet diagnozë; ndërsa nëse ndodh në dosje, quhet proçedurë. Gjykatat kombëtare shpesh e servirin fajësinë të papjekur, ndërsa Strasburgu e kthen në kuzhinë për ta gatuar edhe një herë.
Kështu Kryetari i bashkisë në burg, i supozuar i pafajshëm, pas disa muaj i mbyllur në “enë fermentimi”, pyet një ditë të burgosurin fqinjë me qelinë e tij: Kryetari: Për çfarë je dënuar? Tjetri: nuk e di ende. Si nuk e di? Ende jam në fazën e fermentimit. Ç'domethënë? Ende nuk jam shpallur fajtor, por po maturohem. Pse habitesh, si puna jote, o Lali. Unë jam në proçes fermentimi prej tre vjetësh. Ti je akoma te dy vite. Sipas sistemit, Koha bën atë që nuk e bëjnë provat. Pra, je i dënuar? Jo të thashë, jam i prezumuar i pafajshëm... në proçes fermentimi. Po kur përfundon fermentimi yt?
Kur të jetë gati produkti. Pastaj etiketa ndryshon vetë: nga “i pafajshëm” në “i fajshëm”. Pa ndryshuar përmbajtja. Po mirë, po gjykimi? Ohu, o Kryetar, sa prapa qënke ti. Është si data e skadencës. Vjen me kohë, natyrshëm, pa bujë, rrjedhshëm, pasi produkti ka ndryshuar. Ëhë, po me sa vite të dënuan? Or Lali, nuk më dënuan me vite. Më dënuan me maturim. Pra nuk je në burg? Po jo pra, t'a thashë or Lalë, Jam në Kantinën e Drejtësisë. Proçedura quhet "fermentim juridik". Është specialitet vëndas, autentik shqiptar. Proçesi i fermentimit juridik kërkon vetëm një gjë: KOHË. Pjesa tjetër ndodh vetë. Po provat? E ke fjalën për faktet? Ohu, ato janë si erëzat. Ç'është e vërteta mirë është të jenë, por receta del edhe pa to. Dhe prezumimi i pafajësisë? Është lënda e parë. Futet e freskët në sistem dhe lihet të fermentojë. Pas ca vitesh del produkt i maturuar, Fajtor. Me pak fjalë or Lalë, “Fermentimi” fillon me prezumimin e pafajësisë, vazhdon me paraburgimin e zgjatur dhe përfundon me maturimin e fajësisë. Kalendari është katalizatori kryesor i “fermentimit juridik”, pastaj vijnë provat të cilat quhen ndihmëse. O sa ke për të dëgjuar dhe mësuar ti Lali këtu. Po ata që dënohen me proçes penal? Ohu, proçesi penal klasik është për amatorët. Ai kërkon prova, ballafaqim, debat dhe vendim. Avokatët e tu bënë gabim që në fillim, që zgjodhën të të fusin në proçes klasik penal. Rri or Lalë mirë e bukur në fermentim juridik, ke më pak telashe, më pak shpenzime monetare, se është si një lloj “Ujdi” që fillon me rrush, me prezumim pafajësie, me pak erëza derisa përfundon në autoklavën juridike. Aty dosja penale nuk është më dosje, është fuçia juridike ku prezumimi 60 mijë faqesh i pafajësisë pret të marrë aromën e fajësisë. Ty or Lalë, siç duken bathët, do të marri shumë kohë. Fermentimi dhe maturimi yt ha gjatë, se ka dy lloj bërsish, edhe mashkull edhe femër përzjer me shumë erëza, për të njëjtin qëllim. Megjithatë mos u mërzit se edhe ti do kapësh fazën tënde të aromës “Fajësia”. Një shpikje shqiptare që nuk kërkon patentë, sepse askush tjetër nuk do të guxonte ta kopjonte. Bëjnë sikur, këta perëndimorët, por kur vjen puna, zënë hundët me dorë.Fermentimi juridik zgjatet me vite në korridoret e institucioneve, piqet në raftet e burokracisë dhe vuloset nga sistemet juridike evropiane si produkt me origjinë të mbrojtur. Në fund, statistikat duken bukur, proçedurat duken në rregull dhe formularët plotësohen me përpikëri. Vetëm një gjë mbetet pa u plotësuar: Drejtësia. Mirënjohje pa fund për metodën e “fermentimit juridik”, një arritje e rrallë e inxhinierisë institucionale.Si çdo fermentim cilësor, edhe ky zhvillohet në errësirë, me temperaturë të kontrolluar dhe me sa më pak ndërhyrje nga realiteti. Në fund, etiketa ndryshon, përmbajtja jo domosdoshmërisht. Nga prezumimi te fermentimi, historia e gjatë e një përparimi që u prish pa skaduar.
fatkeqsisht ke të drejtë,për të gjitha!!mjafton të jesh nën çadrën,ose jashtë saj,të padishahut!!në çadër e ke emrin,bela,jashtë saj,emri është,lali fiku!!nuk po merremi me të tjerë si presidenti më i mirë që ka parë shqipëria ose ish rojen e salës,izet!!
E bukur!
Kuptova disa te verteta, qe nuk na shpien dhe aq larg mesjetes. Dallimi i burgosur dhe ne hetim baras me zero? Paraburgimi e ka te sigurte denimin, jo me pak se dite paraburgimi-hetimi, me nder jush. Pergezime autorit!
kur te hyje ndonje nga pd ne burg do shohim a do kendosh me keto moralizmat ....
Artikulli, mund të shfrytëzohet për një skenar filmi dhe do të ishte shumë interesant dhe pak i lëvruar në skenat botërore . Përgëzime autorit të shkrimit !
Ke pasqyruar i realitetin e vertetë të të burgosurve sot në burgjet shqiptare. Nëse në sistemin diktatorial të parabugosurit trajtoheshin më keq se kafsha me të gjitha llojet e torturave për të pranuar atë që ndoshta nuk e kishin bërë, sot i mbajnë në burg njerëzit, ndoshta të pafajshem, duke i torturuar nga ana psikologjike, duke shkelur në flagrancë të drejtat e njeriut. Pas disa vitesh torturë të dënojnë për të justifikuar kohen e paraburgimit. E vërteta e mbajtjes gjatë në burg për t’u “fermentuar”, besoj nuk është shkaku i mungesës se provave të aktit penal, por është korrupsioni që nuk do të hiqet kurrë në sistemin e drejtësisë ku lidhjet avokat, prokuror dhe gjyqtar bëjnë namin duke mos u ngopur kurrë me para, edhe nga fakirat që akuzohen për vepra të thjeshta penale, që mund të zgjidhen thjeshtë në menyrë administrative.
Bravo autorit një e vërtetë e hidhur. Nuk jam kundra dënimeve për cilindo që është fajtor të dënohet. Zgjedhja që ka bërë drejtësia e re është jo vetëm e turpshme por dhe e dënushme. Mjerë kë ze halli. Më mir 100 fajtorë jashtë se një i pafajshëm brenda. Hajde gjeje aq më keq akoma kur gjyqtari që duhet të verë drejtësi i kërkon palës akuzuese të shtojë akuzat se i duken të lehta. Ky është kulmi por kujt ti qahesh? Dhe sflet njeri për këto ngjarje që kursesi nuk duhej të ndodhnin nga drejtësia e re. Presidenti fle kuvendi ska gojë, avokatët flasin po si pjerdh kush gjyqtarëve sja mban se jan të survejuar dhe SPAKU ska si flet se kështu ja ka dash mideja. Tani ta gëzojmë drejtësinë e re e të nai ruaj.