Policia ka zbardhur gjashtë raste vjedhjeje dhe tentative për vjedhje, të dyshuara të kryera nga një 43-vjeçar gjatë dy ditëve të fundit dhe gjatë vitit 2025, duke finalizuar një operacion të koduar “Objektivi”.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariati i Policisë Nr. 4, kanë identifikuar dhe arrestuar shtetasin K. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ai dyshohet si autor i disa episodeve të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas hetimeve paraprake, më 21 janar 2026, 43-vjeçari dyshohet se ka vjedhur me thyerje një shumë parash dhe dokumente në zyrat e Postës Shqiptare në rrugën “Kujtim Laro”, si dhe ka tentuar të vjedhë në një filial banke. Ndërsa gjatë vitit 2025, konkretisht më 9 tetor dhe 26 nëntor, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe produkte në katër lokale të ndryshme në Tiranë.
Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, shërbimet e policisë kanë sekuestruar një shumë parash të dyshuar të vjedhur, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe sende të forta që shërbenin për hapjen e dyerve.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjes që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Lini një Përgjigje