Tragjedi familjare në SHBA, tetë persona gjenden të vdekur në banesë, mes tyre gjashtë fëmijë

26 Korrik 2026, 15:06Bota TEMA
Tragjedi familjare në SHBA, tetë persona gjenden të vdekur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Michigan të SHBA-së, ku tetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur brenda një banese. Ngjarja u zbulua të premten në Grand Haven Township, pranë liqenit Michigan, pasi ekipet e emergjencës u njoftuan për një zjarr në një shtëpi. Pas mbërritjes në vendngjarje, autoritetet gjetën brenda banesës trupat e tetë personave, disa prej të cilëve dyshohet se kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Sipas autoriteteve amerikane, viktimat besohet se i përkasin të njëjtës familje. Mes tyre ndodheshin gjashtë fëmijë, të moshave nga 5 deri në 15 vjeç. Zyrtarët e përshkruan skenën e krimit si “të ndërlikuar” dhe “komplekse”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të tragjedisë. “Zemrat tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje. E dimë se shumë njerëz në komunitetin tonë janë tronditur nga ky lajm”, deklaroi zyra e mbikëqyrësit lokal.

Autoritetet kanë bërë të ditur se aktualisht nuk po kërkojnë persona të dyshuar jashtë banesës, ndërsa hetimi ndodhet ende në fazat e para. Priten rezultatet e autopsive, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e saktë të mënyrës dhe rrethanave të vdekjes së viktimave. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur një nga rastet më të rënda të regjistruara së fundmi në zonë.

Lini një Përgjigje