Reshjet shumë të dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në qytetin e Gjirokastrës, duke sjellë vështirësi të mëdha në qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Në disa zona të qytetit, rrugët janë përmbytur plotësisht dhe janë bërë të pakalueshme.
Si pasojë e daljes së ujit nga shtrati, disa automjete janë përfshirë nga uji, ndërsa lëvizja është bllokuar në shumë akse rrugore. Veçanërisht problematike paraqitet situata në rrugën rreth stadiumit, si edhe në zonën e urës së lumit, të cilat aktualisht janë të pakalueshme.
Gjirokastra po përballet me orë të vështira si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë qytetin gjatë gjithë ditës së sotme, me intensitet të shtuar në orët e mbrëmjes.
Përmes një njoftimi publik, kryebashkiaku i Gjirokastrës u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të rrezikut që mund të vijë nga përkeqësimi i kushteve atmosferike.
“Strukturat lokale dhe qendrore të emergjencave janë në terren dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës, për të bërë gjithçka është e mundur që të mos ketë pasoja, mbi të gjitha në njerëz dhe më pas dëme materiale”, thuhet në mesazhin e kryebashkiakut.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rast nevoje apo emergjence, të kontaktojnë menjëherë numrin 112, ndërsa situata vijon të monitorohet nga të gjitha strukturat përgjegjëse.
Lini një Përgjigje