Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për të garuar për president të Kosovës, duke pretenduar se i plotëson kushtet e një kandidati konsensual, në një kohë kur vendi duhe të nxitojë për ta zgjedhur presidentin e ri.
Kuvendi i Kosovës ka kohë vetëm deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmanit, i përfundon mandati në prill. Bajrami e kërkoi mbështetjen e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe të partive opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një shkrimi në Facebook të enjten.
Ai tha se është i gatshëm të bëhet president duke qenë në dispozicion të institucioneve, të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si kandidat konsensual. “Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi Bajrami.
Bajrami – i cili është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit – duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të garuar, ndërsa dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për t’u zgjedhur.
Nuk është e qartë nëse ai do ta gëzonte një mbështetje të tillë.
Bajrami u largua nga politika më 2019, kur dha dorëheqje nga PDK-ja pas rreth dy dekadave në shërbim të kësaj partie. Deri tani vetëm PDK-ja nga partitë politike ka thënë se mund të vijë me një kandidat, por nuk ka zbuluar emër, ndërsa presidentja Osmani e ka bërë të qartë se kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar.
Ndërsa, anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë qëllim për të garuar për president, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.
Mungesa e një marrëveshjeje mes partive parlamentare dhe paqartësia nëse Osmani do ta fitojë mbështetjen e nevojshme për t’i rizgjedhur, kanë bërë që vendi të rrezikojë të futet në një krizë të re. Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit para 4 marsit do të nxiste zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda muajsh.
Kosova u përball me krizë politike e institucionale tërë vitin 2025, që i kushtuan me mungesë fondesh ndërkombëtare e vonesa në kalimin e buxhetit për vitin e ri fiskal.
Bajrami e arsyetoi vetofrimin si kandidat për president duke u bazuar “në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik”.
Ai shtoi se veprimtaria e tij politike, juridike dhe institucionale, si dhe përvoja në negociatat ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje më 1999 dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës, e bëjnë atë po ashtu kandidat të duhur për president.
Gjatë karrierës së tij rreth 20-vjeçare në politikë, Bajrami shërbeu si ministër i Administratës Publike nga vitit 2008 deri më 2010, si ministër i Arsimit nga viti 2014 deri në vitin 2017, si dhe si deputet në tri legjislatura të ndryshme.
Ai është gjithashtu anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, asaj të Shqipërisë, si dhe i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve./Rel/
Jo që ishte vetëm hartues i kushtetutës, por edhe i PAN'it famëkeq, që e ndanë kosovën në interesa mafiozësh dhe e katandisën shtetin duke e plaçkitur dhe me biznese të pista me serbinë. Ky më shumë se votat e njërit nga PAN'i nuk merr. Por të korruptuarit nuk kanë as nderë, as besë e as karakter. Sali Maloku e ndezi dy herë shtetin dhe prap u zgjodhë kryetallë, ashtu si Ilir Monika që grabiti arkën shtetërore dhe u bë president. Albin Kurti nuk është Ramaduro dhe VV'ja nuk është PS e dalur nga PP'ja komuniste. "Nuk l'shon pé" albin kreshniku.
Milo Shkau ,tamam si thue ti është.Vetëm diçka ti shtoj,kreshniku,albin kur ishte lufta thote jamë i sëmurë…Por i zoti shumë doli nga “burgu”serb i shminkatur…