Dritëro Agolli: “Nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës lindi Partia Socialiste”
Zhvillime dramatike
Delegatët e Kongresit të Dhjetë të Partisë të Punës erdhën nga rrethet në Tiranë ditën e 11 qershorit 1991 gati fshehurazi, nga frika e sulmeve prej turmave të irrituara të opozitës. Teknikisht ai ishte kongres i zakonshëm, ndërsa praktikisht nuk ishte i tillë, sepse zhvillohej në rrethanat e reja të pluralizmit politik. Kështu, ai pritej të shkruante “nekrologjinë” e partisë moniste pesëdhjetëvjeçare.
Partia e Punës kishte fituar zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare të zhvilluara tre muaj më parë, më 31 mars, por ajo ishte gati në ilegalitet. Në të gjitha qytetet e mëdha zgjedhjet i kishte fituar opozita, me sistemin e pastër mazhoritar, me 250 deputetë. Numri 1 i Partisë së Punës Ramiz Alia, kishte humbur në zonën e tij zgjedhore te Kodra e Kuqe në Tiranë, përballë një inxhinieri të panjohur të opozitës.
Partia fituese kishte deshtuar të krijonte një qeveri të qëndrueshme përballë protestave masive të opozitës. Në këto rrethana, nuk dihej si do të shkonin punimet e kongresit dhe e ardhmja e partisë. Për nga diskutimet dhe reagimet e delegatëve, Kongresi i ngjante një kaosi të plotë pa rrugëdalje. Udhëheqja e plakur e Byrosë Politike, tani e ulur në sallën e kongresit bashkë me të venë e diktatorit, nuk e kishte përgatitur masën 100 – mijëshe të anëtarësisë për ndryshimet radikale që do të ndodhnin në kushtet e reja.
Një grup intelektualësh të shquar si Servet Pëllumbi, Ismali Lleshi, Qamil Buxheli, Moikom Zeqo etj përpiqeshin me diskutimet e tyre, të orientonin kongresin drejt reformimit social-demokrat. Megjithatë, rezistenca e mendimit konservator të shumicës së delegatëve ishte e fortë, deri në prepotencë. Me mijëra ish – komunistë ndërkohë, kishin flakur teserat e saj duke aderuar në partitë e reja ose ishin larguar nga politika.
Agolli: “Unë po largohem, se nuk e duroj dot erën e të vdekurit”
Në disktumin e tij shkrimtari Dritëro Agolli kritikoi ashpër regjimin e kaluar dhe vetë Enver Hoxhën. Kjo irritoi sallën dhe bëri që ajo të ndërpriste disa herë diskutimin e tij me thirrjet: “Enver Hoxha”, “Parti - Enver, jemi gati kurdoherë”. Ishin rreth shtatëdhjet përqind e delegatëve që po i kundërviheshin Dritëroit me thirrje dhe fletushka kundërshtuese që vërshonin lumë drejt poetit në foltoren e Kongresit. Anetarët e presidiumit vështronin të lemerisur sallën e madhe prej dy mijë delegatësh që po thërriste kundër tij.
Dritëroi nuk tundej prej foltores pa e zbrazur atje deri në fund të gjithë atë që kishte përgatitur. Fjalimi i tij prej tetë faqesh daktilografike, ishte kontravers me mendimin e përgjithshëm të delegatëve, të cilët mendonin se kishin ardhur atje për të “arnuar” diçka në partinë e tyre të vjetëruar, por jo për ndryshime radikale.
Kjo situatë provokuese e sallës, aspak e kulturuar ndaj një shkrimtari të madh, e detyroi atë të linte mënjanë diskutimin që po lexonte dhe të fuste dorën në xhepin e xhaketës. Prej andej nxori një letër që, me sa duket, ishte varianti i dytë “rezervë” i diskutimit të tij. Ai e kishte parashikuar që mund të ndodhte edhe kjo që po i shfaqej tani përpara syve, prandaj kishte shkuar atje me dy diskutime. Tani ai filloi të lexonte variantin e dytë të diskutimit:
“Ju ma vërtetuat mendimin tim, të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt … Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë, po mundët. Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri.” Ky ishte shkurtimisht diskutimi alternativ i Dritëroit.
“Ikja” e poetit
Salla vazhdonte të ulërinte: “Parti – Enver, jemi gati kurdohere!” Por ajo nuk e kishte parashikuar se punët do të shkonin deri këtu, pra në largimin e poetit të madh nga partia. Kjo ikje ishte fatale për ta. Dritëroi mblodhi letrat e diskutimit dhe u largua nga salla, për t’u treguar delegatëve se atje nuk kishte më vend për të.
Nëpër korridoret e Pallatit grupe delegatësh po thërrisnin të lemerisur, duke shkulur faqet me thonj: “Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona, duke ngritur dorën kundër njeriut tonë, poetit Dritëro dhe e bëmë atë të largohej. E kush mbeti tjetër tani në këtë parti!” Në këtë grup që iu vunë pas Dritëroit ishte edhe poeti Moikom Zeqo.
Ata që kishin sulmuar Dritëroin ishin delegatë, pjesa më e pandriçuar e partisë, njerëz të thjeshtë, punëtorë e fshatarë të vuajtur, të bombarduar prej dyzetë vitesh nga propaganda komuniste për “udhëheqësin e madh e të pagabueshëm” Hoxha. Ata tani po e shikonin veten të tradhtuar nga të gjitha anët, prandaj po përjetonin haluçinacionet e zhgënjimit të madh. Fati i ardhshëm i partisë ishte në fije të perit. Diskutimin e plotë të poetit në Kongres e botoi vetëm gazeta e opozitës “Rilindja Demoratike”.
“Krijim” apo “ndërrim” emri?
Ashtu, nëpër zhurmën dhe kaosin e përgjithshëm, Kongresi miratoi një projekt - rezolutë, përmbajtjen e së cilës nuk e morën vesh mirë as ata që e votuan. Në të thuhej se Partia e Punës tani ndërronte emrin, duke u quajtur Partia Socialiste. Kjo ide për ndërrimin e emrit nuk u diskutua gjatë, nga frika se do të kundërshtohej edhe ajo nga ana e delegatëve. Ajo u hodh në votim të hapur dhe “fitoi”, në rrethanat e kaosit të përgjithshëm. Praktikisht dhe juridikisht, ajo Rezolutë shënoi zyrtarisht fundin e Partisë komuniste të Punës në Shqipëri.
Pas ndërrimit të emrit, Kryesia e sapozgjedhur e partisë kërkoi më 7 korrik, pra 25 ditë më vonë, njohjen e saj me emrin e ri nga Ministria e Drejtësisë. Të gjithë atyre që dëshironin të bëheshin anëtarë të partisë me emrin e ri, iu bë thirrje të anëtarësoheshin në të, duke marrë teserat e reja të saj, sikur kjo të ishte një parti e re. Ky ishte testimi real i ish – anëtarëve të partisë komuniste ndaj krijesës së re. Kush dëshiroi, u anëtarësua në partinë e re, kush nuk dëshiroi, u largua prej saj. Kjo ishte “shpërndarja” reale, e padeklaruar zyrtarisht me këtë term, e Partisë së Punës dhe hapja e rrugës së partisë se re.
Nuk ka patur akt formal të “krijimit” të Partisë Socialiste më datën 12 qershor 1991. Kjo datë e themelimit të partisë u caktua më vonë, si njera nga tri ditët (11, 12, 13) që vazhdoi kongresi. Fakti që masa e anëtarëve të partisë e ka pranuar atë si datë themelimi, i jep legjitimitet asaj. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjitha strukturat e pushtetit të zgjedhur nga populli: deputetët, ministrat, përfaqësuesit e pushtetit vendor, u integruan menjëherë në partinë me emrin e ri.
Legjitimiteti i vërtetë i një partie politike në kushtet e shumë - partitizmit duket në zgjedhjet e lira demokratike, pra sa do ta pranojë populli atë parti. Në zgjedhjet e para kombëtare për organet e qeverisjes vendore të korrikut 1992, një vit pas krijimit, Partia Socialiste fitoi shumicën e votave të popullit shqiptar, nga 26 përqind që kishte fituar në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të një viti më parë. Ndërsa në Referendumin kombëtar për Kushtetutën, të zhvilluar në nëntor të vitit 1994, tri vjet pas krijimit, ajo fitoi 53 përqind të votave. Kjo do të thoshte se ajo kishte fituar dy herë legjitimitet në popull.
Udhëheqja e re
Në ditën e tretë të Kongresit u “zgjodh” udhëheqja e re e partisë, Komiteti i ri Qendror i saj me votim të fshehtë të delegatëve. “U zgjodh” me thonjëza, sepse emrat e rinj dukej sikur ishin përzgjedhur nga një dorë e kujdeshme, pavarësisht nga votimi i Kongresit, me qellim që në listë të mos kishte asgjë nga e kaluara. Në listën e “fituesve” bënte pjesë edhe Dritëroi, që kishte deklaruar një ditë më parë “largimin” nga partia. Udëheqësi komunist Xhelil Gjoni më vonë do të deklaronte se Dritëroi nuk i kishte fituar votat e Kongresit, por Komisioni i votimit e futi edhe atë si fitues. Dritëroi kishte “paguar” kështu koston e diskutimit të tij kritik të mbajtur në Kongres një ditë më parë.
Kur Dritëroi kishte dalë nga salla e madhe e Pallatit të Kongreseve, një grup delegatësh ishin sulur pas tij dhe nuk e kishin lënë të largohej, siç kishte deklaruar (“unë po largohem…”) E kishin mbajtur “me zor” nga krahët, ata që i kishin ndërprerë fjalimin-funeral ndaj regjimit. Le të ikte ai, “i vdekuri që vjen erë”, por jo Dritëroi. Dhe ai qëndroi atje deri në fund, për ta shtyrë “gërdallën histori majtas, majtas, majtas!”
Në listën e anëtarëve të rinj të Komitetit ishte edhe emri im, megjithëse nuk kisha qenë ndonjëherë më parë anëtar partie, ndoshta ngaqë punoja në gazetën e partisë. Teserën e Partisë Socialiste me numrin 52, te firmosur nga kryetari Fatos Nano, e mora menjëherë pas regjistrimit te saj në gjykatë me emrin e saj të ri. Kjo më krijoi mundësinë t’i shikoja “nga brenda” zhvillimet e saj për 15 vjet rresht.
Fatos Nano: Unë nuk kam punë me Enver Hoxhën
Problemi tani ishte zgjedhja e kreut partisë. Përfliteshin disa emra, midis të cilëve edhe Fatos Nano. Ky nuk pranonte dhe prandaj mbledhja e Komitetit po zgjatej pa mbarim. Nano mendonte se monoliti komunist që atë vit po mbushte 50 vjet, zor se do të kthehej ndonjëherë në një formacion social - demokrat. Doni fakte? Shikoni reagimin e sallës ndaj fjalës së Dritëroit.
Tavolina e presidiumit ku pritej të ulej udhëheqësi i ri rrinte bosh prej gati tri orësh. Ajo i ngjante vendit ku do të vendosej “arkivoli” politik i atij që do të guxonte të merrte postin e lartë të drejtuesit. Dhe vërtet, dy vjet më vonë ai, kryetari, do të burgosej politikisht për gati katër vjet (1993 – 1997) në burgun e Bençës në Tepelenë. Por “konklava” e partisë nuk mund të mbyllej pa zgjedhur “Papën” e ri.
E mori fjalën me një ton gati vajtimtar një grua nga Gjirokastra. “Ne, shoku Fatos, nuk kthehemi dot në Gjirokastër, nëse ti nuk pranon të zgjidhesh Sekretar i Parë - me një lloj trishtimi të thellë, për atë që nuk po zgjidhnim dot të parin e partisë. Nga vendi ku ishte ulur në sallë Nano iu drejtua asaj:
- Dëgjo ti, motër nga Gjorokastra. Nëse unë zgjidhem në krye të partisë, unë nuk kam më punë me Enver Hoxhën. E pranoni ju gjirokastritët këtë apo jo?” - Emri Gjirokatër kishte ende peshë tek të pranishmit.
Ja tani, edhe ky problem i ri. Kandidati kryesor për kreun e ri të partisë kërkonte “kokën” e Hoxhës në tepsi, si parakusht për pranimin e detyrës, njëlloj si Dritëroi një ditë më parë. Pra nuk ishte vetëm poeti që do të “arratisej” nga partia, ishin edhe emra të tjerë intelektualësh të njohur.
Dritëroi rrinte ulur i heshtur në sallën e mbledhjes si anëtar i Komitetit, duke shkarravitur me stilolaps mbi një copë letër të mbështetur në gjurin e tij. Ai e kishte mbaruar misionin e vet historik në kongres. Nga salla e madhe e Pallatit vazhdonte të vinte ende jehona e thirrjeve frenetike të delegatëve një ditë më parë: “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë, “ Ata po prisnin tani në ankth udhëheqësin e tyre të ri.
Heshtje në sallën e mbledhjes në katin e dytë të Pallatit pas fjalëve të Nanos. Deklarata politike e tij për ndarjen përgjithmonë nga emri dhe trashëgimia e Hoxhës nuk i drejtohej vetëm “motrës” nga Gjirokastra. Ajo u drejtohej të gjithë atyre anëtarëve të rinj të udhëheqjes së lartë që ishin në sallë. “Dëgjoni dhe merreni vesh ju, anëtarë të rinj të udhëheqjes se si do të jetë partia e re, nëse unë zgjidhem në krye të saj”. Ky ishte “manifesti” politik i Nanos drejtuar atyre. Një sfidë e rrezikshme kjo, sepse shumë prej anëtarëve të Komitetit ishin prej atyre që një ditë më parë kishin fërshëllyer diskutimin e Dritëroit. Pas pak çastesh topitjeje, “motra” nga Gjirokastra hapi gojën:
- Mirë, shoku Fatos, do ta pranojmë! – Ajo nuk tha “e pranojmë”, por “do ta pranojmë”. Do të duhej të rridhte akoma ujë në lumin Drino poshtë qytetit të saj të gurtë, para se të harrohej diktatori. Tre muaj më parë gjirokastritët e kishin shkatërruar monumentin e tij prej mermeri te Qafa e Pazarit. “Pranimi” pra, do të vinte një ditë dhe prandaj ajo mori guximin dhe tha: “do ta pranojmë”
Duartrokitje në sallën e vogël të mbledhjes. Ai togfjalësh i saj, “do ta pranojmë“, e kishte çliruar situatën nga ngërçi historik. Ajo dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes së re e kishin pranuar “manifestin” politik të kandidatit për udhëheqësin e ri: “Harrojeni Hoxhën!” Tym i bardhë mbi çatinë e Pallatit të Kongreseve. Fatos Nano e kishte pranuar sfidën e drejtimit të partisë. Ai u ul në tavolinën bosh që shërbente si presidium.
- Unë e pranova këtë detyrë, por tani dua t’i zgjedh vetë shokët që do të kem në krah për drejtimin e partisë. – E kishte fjalën për zëvendësit e tij. Duartrokitje miratuese në sallë. – Të vijnë tani bashkë me mua në presidium shokët: Servet Pëllumbi, Ismail Lleshi dhe Spiro Dede.- Pas pak hezitimesh, tre shokët zunë vendet në presidium.
Një histori suksesi që pret të shkruhet
Po fillonte kështu një erë e re në politikën shqiptare, duke shënuar lindjen e vështirë të një formacioni të ri politik. “Nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës lindi Partia Socialiste”, do të shprehej më vonë Dritëroi. Vendimet reformatore të saj drejt një partie social-demokrate perëndimore do të konfirmoheshin shpejt nga zjgedhjet që do të zhvilloheshin në Shqipëri.
Ajo parti po hynte kështu plotësisht në historinë e Shqipërisë si forcë e parë politike, duke qeverisur vendin për 27 vjet. Ata që i dolën zot në ditë të mira e të vështira qëndrojnë sot në Panteonin e saj. Pjesë e këtij Panteoni janë Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Dritëri Agolli, Gramoz Ruçi, Edi Rama, Pandeli Majko, Shaqir Vukaj, Arta Dade, Ethem Ruka etj.
Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e ka të shkruar ende në letër historinë e saj 35 – vjeçare, atë histori që e ka “shkruar” tashmë me sukses në praktikë, në qeverisje dhe në opozitë. Kjo ishte një përpjekje për të hedhur dritë mbi një terren djerr për disa aspekte kryesore të fillimeve të saj. U rreka të shkruaj “kapitullin” e parë të kësaj historie, por mbeten edhe 34 kapituj të tjerë për t’u shkruar. Dhe ajo duhet shkruar sa më shpejt, sepse heronjtë e saj po largohen përditë për në parajsë.
(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)
Lini një Përgjigje